7.7.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues, në çelje të seancës, njoftoi depozitimin pranë Kolegjit të dokumentacionit të kërkuar në seancat paraardhëse pranë Këshillit Bashkiak Fier.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit konfirmuan gjithashtu se ishin njohur me përmbajtjen e shkresës zyrtare të Këshillit Bashkiak Fier, e cila u lexua nga kryesuesja e trupit gjykues. Në këtë shkresë konfirmohej se nuk disponohej dokumentacion mbi miratimin e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në listën emërore të familjeve të pastreha, nga ana e Këshillit Bashkiak Fier. Trupi gjykues, pasi vendosi administrimin si provë të shkresës së sipërcituar, e mbylli hetimin gjyqësor dhe ftoi palët për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në bisedimet përfundimtare, nënvizoi se, referuar shkakut kryesor të ankimit, që lidhej me përfshirjen e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në listën e subjekteve përfituese për kredi me kushte lehtësuese, në të njëjtën kohë kur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier po hetoheshin funksionarë të Bashkisë Fier për kryerjen e veprimeve të paligjshme gjatë procesit të shpërndarjes së këtyre kredive, gjatë hetimit të kërkuar nga Komisioneri Publik, trupi gjykues administroi dosjen e plotë gjyqësore të kësaj çështjeje penale.

Bazuar në aktet e kësaj dosje gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, nuk u provua se subjekti i rivlerësimit të kishte kryer ndonjë veprim procedural ose të kishte pasur pozitën e prokurorit më të lartë gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit të funksionarëve të Bashkisë Fier, për veprime të paligjshme në shpërndarjen e kredive për strehim, gjatë periudhës 2012-2014, kohë në të cilën bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit kishte aplikuar për përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese, pranë Këshillit Bashkiak Fier. Në të tilla rrethana, nuk u provua që subjekti i rivlerësimit të kishte vepruar në kushtet e gjendjes së konfliktit të interesit dhe në cenim të etikës profesionale. Edhe në lidhje me shkaqet e tjera të ankimit, si shkaqe të ndërvarura nga shkaku kryesor, për të cilat trupi gjykues vendosi hetimin e mëtejshëm, Komisioneri Publik konsideroi se aktet e administruara nuk rezultojnë të përmbajnë elemente që mund të kenë si pasojë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Në përmbyllje të konkluzioneve, Komisioneri Publik kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Manjola Kajana.

Subjekti i rivlerësimit, në bisedimet e saj përfundimtare, pasi vlerësoi nevojën e hetimit të shkaqeve të hetimit, bazuar në provueshmërinë e provave të administruara nga trupi gjykues, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të pjesëmarrësve në gjykim, trupi gjykues e shtyu seancën për shpalljen e vendimit përfundimtar në datën 10.7.2020, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF