17.7.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, në atë kohë drejtuese e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor, subjekti i rivlerësimit paraqiti dy kërkesa paraprake për përjashtimin nga trupi gjykues të kryesueses, gjyqtares Natasha Mulaj dhe të anëtares së këtij trupi, gjyqtares Ina Rama, me pretendimin se gjenden në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak të funksionit të saj si prokurore.

Trupi gjykues, pas konsultimit, konstatoi se, bazuar në nenin 27, pika 2, të ligjit nr. 84/2016, kompetencën për shqyrtimin e kërkesave të subjektit të rivlerësimit do ta kenë dy trupa të tjerë gjykues, që do të caktohen me short. Kryesuesja e seancës konstatoi gjithashtu se, referuar nenit 75, paragrafi i fundit, të Kodit të Procedurës Civile, gjykimi i çështjes nuk pezullohet dhe se dy gjyqtarët e referuar nga subjekti i rivlerësimit nuk do të marrin pjesë në dhënien e vendimit, derisa të shqyrtohen kërkesat për përjashtimin e tyre.

Në këto kushte, trupi gjykues vendosi vijimin e gjykimit të çështjes.

Komisioneri Publik gjatë parashtrimeve të tij u qëndroi shkaqeve dhe kërkimit të ankimit, dhe referoi edhe një denoncim nga publiku, për të cilin ishte vënë në dijeni nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në muajin qershor të këtij viti.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësimet e saj, kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin e akteve të reja, referuar shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Për t’i lënë kohë të arsyeshme Komisionerit Publik të shprehet lidhur me lejueshmërinë dhe vlerën provuese të këtyre akteve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën  27.7.2020, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.  PDF