23.2.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.

Kryesuesja e trupit gjykues, gjatë verifikimit të prezencës së palëve, konstatoi mungesën e Komisionerit Publik, z. Florian Ballhysa, i cili ka ushtruar ankimin kundër vendimit të sipërcituar.

Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, informoi trupin gjykues se Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, përmes korrespondencës zyrtare, ka njoftuar Kolegjin e Posaçëm të Apelimit se, për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj për në një kohë të përshtatshme.

Kryesuesja e seancës konfirmoi korrespondencën zyrtare me Komisionerin Publik dhe, pasi mori edhe dakordësinë e subjektit të rivlerësimit, njoftoi vendimin e trupit gjykues për shtyrjen e seancës më datë 11.3.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF