22.4.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit i paraqiti trupit gjykues aktet e siguruara me vulë apostile në Republikën e Greqisë, duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe administrimin e tyre.

Komisioneri Publik, nga ana e tij, parashtroi qëndrimin rreth vlerës provuese të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, në dy seancat e mëparshme gjyqësore.

Komisioneri Publik parashtroi se, referuar përmbajtjes, këto akte nuk dëshmojnë situata të ndryshme nga ato që janë parashtruar në ankim dhe vijoi qëndrimin e tij, lidhur me provueshmërinë e tyre, në raport me secilin shkak të ankimit.

Subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij pretenduan të kundërtën e qëndrimit të Komisionerit Publik, duke parashtruar se aktet e dorëzuara në Kolegj provojnë prapësimet e tyre për ankimin.

Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi administrimin e provave të reja të paraqitura në seancën e sotme nga subjekti i rivlerësimit dhe, për t’i lënë kohë Komisionerit Publik për vlerësimin e provueshmërisë së tyre, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 29.4.2021, ora 15:00, duke ftuar njëkohësisht palët të parashtrojnë edhe konkluzionet përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF