Në zbatim të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Vendimit të Kuvendit nr. 102/2018, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr. 94/2017”, “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionerëve Publikë”, Institucioni i Komisionerëve Publikë shpall vendin vakant për pozicionin e mëposhtëm:

  • Shpall 1 (një) vend vakant për pozicionin “Sekretar, pranë Komisionerit Publik”.

(Kategoria e pagës për pozicionin e Sekretarit është sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave nr. 187/2017, për pagat e nëpunësve civilë në administratën shtetërore dhe institucione të tjera të pavarura.)

 

 DETYRAT KRYESORE: 

  • Ofron mbështetje administrative dhe teknike, përfshirë postën zyrtare, telefonatat, skanimin, faksimin dhe kopjimin e dokumenteve për Komisionerin Publik.
  • Përgatit dhe modifikon dokumentet, duke përfshirë korrespondencën, raportet, memorandumet dhe email-et, sipas kërkesës dhe rekomandimeve të Komisionerit Publik.
  • Merr dhe shpërndan korrespondencën, e cila i drejtohet Komisionerit Publik, si dhe kujdeset për mirëmbajtjen e saj.
  • Ruan dhe mirëmban dokumente të ndryshme, dosje dhe të dhëna tjera, me qëllim dokumentimin e aktiviteteve të Komisionerit Publik.
  • Mban kontakte, me autorizim të Komisionerit Publik, me punonjësit e institucionit, zyrtarët e lartë dhe publikun, përfshirë ofrimin e ndihmës dhe udhëzimeve për çështje të caktuara.
  • Asiston Komisionerin Publik në agjendën e takimeve.
  • Kryen edhe detyra tjetër në përputhje me ligjet dhe rregulloret, të cilat mund të kërkohen në mënyrë të arsyeshme, kohë pas kohe, nga Komisioneri Publik.
  • Çdo detyrë tjetër e ngarkuar nga Komisioneri.

 

KUSHTE TË PËRGJITHSHME

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të mos jetë i/e dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Ndaj tij/saj të mos ketë asnjë masë disiplinore në fuqi;
e) Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat e tjera të posaçme për kategorinë, klasën, grupin dhe pozicionin përkatës;
ë) Kandidatët duhet të sigurohen se plotësojnë kriteret për t’u pajisur me Certifikatë Sigurie, sipas Vendimit të Këshillit Ministrave nr. 188, datë 4.3.2015.

 

KUSHTET E POSAÇME

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:

  • Të zotërojë diplomë të nivelit “Bachelor”;
  • Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;
  • Të ketë njohuri shumë të mira të programeve kompjuterike të paketës Microsoft Office;
  • Eksperienca në punë përbën avantazh.

Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen deri më datë 10 dhjetor 2021, në një nga format e përcaktuara më poshtë:

  • Paraqitja e kërkesës dorazi nga aplikanti, deri në datën 10 dhjetor 2021, së bashku me dokumentet përkatëse, pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr. 8, Tiranë, nga e hëna në të enjte, ora: 09:00-16:00 dhe të premten, ora 09:00-14:00.
  • Dërgimi i kërkesës së bashku me dokumentet përkatëse, me anë të postës, pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 8, Tiranë. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda datës 10 dhjetor 2021 dhe të vërtetohet me fletëmandatin e lëshuar nga zyra postare.

Në kërkesën që paraqet kandidati, përcakton vendin vakant për të cilin është i interesuar. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon, të mbyllura në zarf, 1 (një) kopje të dokumenteve të mëposhtme:

  1. Jetëshkrim profesional në gjuhën shqipe, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare.
  2. Fotokopje të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë, kartë identiteti).
  3. Dokumentet (diplomë, librezë pune, dëshmi, vetëdeklarim, certifikata, trajnime etj.), fotokopje ose të noterizuara. Diplomat që janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
  4. Dokument që vërteton se në ngarkim të tij/saj nuk është regjistruar një procedim penal (vërtetim nga Gjykata, vërtetim nga Prokuroria, dëshmi e gjendjes gjyqësore).
  5. Vërtetim nga institucioni ku punon/ose punëdhënësi i fundit që nuk ka masë disiplinore në fuqi.
  6. Raport mjeko-ligjor, që vërteton se është në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
  7. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton plotësimin e kushteve të mësipërme, si dhe trajnime, kualifikime, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera, të përmendura në jetëshkrim, rekomandime, referenca etj.

 

VLERËSIMI I KANDIDATURAVE DO TË ZHVILLOHET NË DY FAZA:

  1. Verifikimi paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të posaçme, sipas shpalljes së konkurrimit. Kandidatët e kualifikuar, pas shqyrtimit të dokumentacionit, do të njoftohen në rrugë elektronike nga Burimet Njerëzore të institucionit mbi vendin, datën dhe orën e zhvillimit të intervistave.
  2. Vlerësimi i kandidatëve nëpërmjet intervistës së strukturuar nga Komiteti Ad-hoc.

 

MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE:

A. Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar,
përvojën, vlerësimet e rezultateve individuale në punë, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën për të cilën aplikohet.

B. Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a – Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b – Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c – Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Kandidatët që plotësojnë kriteret formale dhe kanë depozituar dokumente të fotokopjuara, përpara intervistës, i paraqesin Komitetit Ad-hoc dokumentet e njësuara ose ato origjinale.