19.5.2021  

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Kryesuesja e seancës, pas konfirmimit të palëve se ishin njohur me aktin e dërguar nga Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi këtë dokument, njoftoi se ky i fundit kishte paraqitur edhe kërkesën paraprake për të depozituar një dokument bankar për të ardhurat e bashkëshortes nga puna si konsulente në një fondacion.

Komisioneri Publik, pasi u shpreh se për kërkesën paraprake u njoh në seancën e sotme, konfirmoi njohjen me aktet e sipërcituara nga kryesuesja e seancës.

Pas këtij qëndrimi, subjekti i rivlerësimit u tërhoq nga kërkesa për të depozituar dokumentin bankar, pasi sipas tij punësimi i bashkëshortes në fondacionin e huaj provohej në aktet që ishin administruar nga Kolegji.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi administrimin e aktit të sjellë nga Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, duke i ftuar palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Në bisedimet përfundimtare, duke u qëndruar shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të orientojë Komisionin për zgjidhjen e rasteve të ngjashme, duke vendosur ndryshimin e vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të KPK-së, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, në prapësim të shkaqeve të ankimit dhe të kërkimit të Komisionerit Publik, kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë dhe ndryshimin e pikës 2 të vendimit të KPK-së, që lidhej me transferimin për inspektim të një çështjeje të gjykuar prej tij.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, njoftoi se vendimi përfundimtar do të shpallet më datë 31.5.2021, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF