17.6.2021  

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues, pas verifikimit të prezencës së palëve, citoi përgjigjet e Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku, mes të tjerash, referohej se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit nuk tatoheshin.

Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi nga palët qëndrimet e tyre rreth interpretimit ligjor të përcjellë nga institucionet e sipërcituara.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e palëve, vendosi administrimin e informacionit të përcjellë nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe më pas u tërhoq, në dhomë këshillimi, për shpalljen e vendimit përfundimtar, më datë 18.6.2021, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF