22.6.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ramiz Lala, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Kryesuesi i trupit gjykues, pas verifikimit të prezencës së palëve, informoi se ata ishin njohur me aktet e përcjella nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Gjirokastër, si dhe me analizën financiare, të kryer nga Njësia e Shërbimit Ligjor pranë KPA-së, sipas kërkimit të Komisionerit Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, gjatë seancës së shkuar.

Në vijim, kryesuesi i seancës kërkoi nga Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit qëndrimet e tyre rreth provueshmërisë së akteve të përcjella nga institucionet e sipërcituara.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e palëve, vendosi administrimin e dokumentacionit të përcjellë nga institucionet e lartpërmendura, si dhe një akt gjyqësor, të dorëzuar nga subjekti i rivlerësimit. Duke e deklaruar të mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes, trupi gjykues ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, më datë 7.7.2021, ora 8:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF