7.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Sokol Ngresi, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit paraqiti kërkesë paraprake, duke pretenduar mospranimin e ankimit, pasi e konsideronte si të paraqitur jashtë afatit ligjor. Pasi u tërhoq për vendim, trupi gjykues vendosi që vendimi për këtë kërkesë paraprake do të jepej bashkë me vendimin përfundimtar.

Në vijim të seancës, Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, u qëndroi shkaqeve dhe kërkimit të ankimit të paraqitur, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit. Komisioneri Publik parashtroi se, pas depozitimit të ankimit, nëpërmjet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por dhe drejtpërdrejt, në Institucionin e Komisionerëve Publikë, ishin depozituar disa denoncime, ku pretendohej për një pasuri të padeklaruar nga subjekti i rivlerësimit. Në lidhje me denoncimet, Komisioneri Publik kërkoi të njihej eventualisht me  qëndrimin e subjektit të rivlerësimit rreth pretendimeve të ngritura në këto denoncime, pasi ato të administroheshin nga ana e Kolegjit.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrim të prapësimeve të shkaqeve të ankimit, kërkoi lënien në fuqi të vendimit, duke pretenduar se hetimi në Komision i kishte dhënë përgjigje çështjeve të ngritura në ankim. Në lidhje me pretendimet në përmbajtje të denoncimeve të publikut, për pasuri të padeklaruar, subjekti i rivlerësimit i konsideroi të pavërteta, duke pretenduar falsitetin e tyre.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të administrojë denoncimet dhe aktet bashkëlidhur, ku pretendohet mosdeklarimi nga subjekti i rivlerësimit i një pasurie të paluajtshme, si dhe kërkoi të njihet me qëndrimin e Komisionerit Publik në lidhje me çështjet për hetim, lidhur me denoncimet.

Komisioneri Publik, në parashtrim të qëndrimit të tij, u shpreh se ishte e nevojshme të kërkohej informacion pranë shoqërisë së ndërtimit, e cila pretendohet si palë e kontratës së lidhur me subjektin e rivlerësimit, dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, lidhur me këtë pasuri.

Në vijim, pasi u administruan përgjigjet e subjektit të rivlerësimit, i cili u pyet nga relatorja e çështjes në lidhje me ekzistencën e marrëdhënieve të tij me administratorin e shoqërisë së ndërtimit, si dhe me procedurën e ndjekur për t’u pajisur me formularët e deklarimit të pasurisë, kryesuesja e trupit gjykues lexoi vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues, për të kërkuar administrimin e informacionit në lidhje me përmbajtjen e denoncimit nga ana e shoqërisë së ndërtimit dhe ASHK-së, administrimin e informacionit nga një tjetër shoqëri ndërtimi për një marrëdhënie juridike-civile, të zgjidhur mes saj dhe subjektit të rivlerësimit, si dhe administrimin e informacionit nga ILDKPKI, për sa i përket procedurës së ndjekur për plotësimin e deklarimeve të pasurisë në periudhën përkatëse, mbi të cilën u ngritën pretendime nga ana e subjektit të rivlerësimit.

Trupi gjykues, në pritje të administrimit të përgjigjeve nga institucionet e sipërcituara, vendosi ta shtyjë seancën më datë 26.7.2021, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF