8.3.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, Kryesuesja e trupit gjykues njoftoi se, pasditen e djeshme, subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur pranë Kolegjit kërkesë për shtyrje të seancës, për shkak se gjendej në pamundësi objektive për të marrë pjesë.

Pasi dëgjoi dhe qëndrimin e Komisionerit Publik, i cili nuk shprehu objeksione për kërkesën e paraqitur nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues, i këshilluar në vend, vendosi të shtyjë seancën më datë 21.3.2022, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF