28.3.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, magjistrate/ gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri të njohur përbërjen e trupit gjykues dhe ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e parashtrimeve të tyre.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, bazuar edhe në Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeljen e hetimit dhe marrjen e provave përkatëse, sipas kërkimeve të ankimit dhe parashtrimeve të tij në seancën e sotme.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrimet e saj, kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe, në prapësim të denoncimeve nga publiku, depozitoi në Kolegj akte të reja, që sipas saj lidheshin me kriterin e aftësisë profesionale dhe me kriterin e pasurisë.

Seanca vijoi më pas me pyetjet drejtuar subjektit të rivlerësimit nga relatorja e çështjes dhe vëzhguesi ndërkombëtar.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, si dhe u njoh me kërkimet e tyre, me vendim të ndërmjetëm, vendosi riçeljen e hetimit gjyqësor për të marrë, në cilësinë e provave të reja, aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, që nuk gjenden në dosjen e administruar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si dhe të kryejë një analizë financiare bazuar në kërkimin e Komisionerit Publik, e cila do t’u bëhet e njohur palëve para seancës së ardhshme, që do të zhvillohet më datë 4.5.2022, ora 9.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF