28.4.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesi i seancës pyeti palët nëse kishin kërkesa paraprake për të depozituar para nisjes së shqyrtimit gjyqësor.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti fillimisht kërkesën për t’u njohur me vendimin e arsyetuar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rreth kërkesës së saj, të depozituar në prill të vitit 2021, për përjashtimin nga gjykimi i çështjes të 4 anëtarëve të trupit gjykues.

Trupi gjykues, pas shqyrtimit të kërkesës së mësipërme, në referencë të Kodit të Procedurës Civile, njoftoi subjektin e rivlerësimit se ajo do të njihet me aktet procedurale gjatë gjykimit të çështjes.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit, përmes një kërkese të dytë, kërkoi pezullimin e gjykimit të çështjes, me pretendimin se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryente në të njëjtën kohë hetimin pasuror të personit të saj të lidhur.

Me kërkesë të kryesuesit të seancës, Komisioneri Publik dha qëndrimin e tij rreth kërkesës së subjektit të rivlerësimit, duke vlerësuar se procesi ndaj saj nuk ndodhej në kushtet e përcaktuara në nenin 297/a të Kodit të Procedurës Civile.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e subjektit të rivlerësimit dhe qëndrimin e Komisionerit Publik, vendosi të mos pranojë kërkesën për pezullimin e gjykimit të çështjes, duke argumentuar se procesi i rivlerësimit është i një natyre të posaçme, që nuk krijon mbivendosje me procese të tjera, dhe ftoi palët në parashtrimin e shkaqeve të ankimit dhe të prapësimeve të tyre.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, në referencë edhe të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit t’i marrë ato në konsideratë dhe, në përfundim të gjykimit, të vendosë, në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 325, datë 14.12.2020, ose lënien në fuqi të tij.

Seanca vijoi më tej me pyetjet drejtuar Komisionerit Publik nga relatorja e çështjes.

Trupi gjykues i kërkoi më pas Komisionerit Publik që sqarimet e kërkuara nëpërmjet gjyqtares relatore t’i paraqesë me shkrim dhe, për këtë arsye, vendosi shtyrjen e seancës për në datën  19.5.2022, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF