27.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Dritan Banushi, me detyrë gjyqtar/kryetar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit dha qëndrimin e tij lidhur me metodologjinë që Komisioneri Publik kishte përdorur gjatë kryerjes së analizës financiare. Në vijim të prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues administrimin e një akti ekspertimi.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të administrojë në cilësinë e provës dokumentin e sipërcituar dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në referencë të analizës së provave/akteve të administruara në dosje të Komisionit, provave dhe akteve të administruara gjatë hetimit gjyqësor, të vendosur nga trupi gjykues, si dhe parashtrimeve dhe akteve/provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e provës, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit të paraqitur prej tij, kërkoi që shkaqet e parashtruara në ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Banushi.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi konkluzionet dhe kërkimin përfundimtar të Komisionerit Publik, duke pretenduar për të kundërtën e tyre dhe duke i kërkuar Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Banushi.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit më datë 8.6.2022, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF