6.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës njoftoi se trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të mos kërkojë prova shtesë në funksion të kërkimit të Komisionerit Publik, duke i konsideruar të mjaftueshme aktet që ndodhen në fashikullin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në vijim, pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues, i konsultuar ne vend, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare më datë 20.6.2022, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF