5.10.2018

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Valbona Bala (Pajo), këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, pjesa urdhëruese e vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës së nenit G, të aneksit të Kushtetutës, si dhe praktikës gjyqësore orientuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që kjo mangësi në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të korrigjohet, pas shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të institucionit: www.ikp.al.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF