18.12.2018

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit të paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisioneri Publik në komentet e tij për provat e depozituara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit, u qëndroi shkaqeve të ankimit të parashtruara në seancën e mëparshme duke kërkuar hetim për secilin prej tyre, si dhe cilësimin si persona të lidhur me subjektin e rivlerësimit të të gjithë personave, që kanë ndikuar në rritjen e pasurisë së saj.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi çeljen e hetimit gjyqësor për shkaqet e ankimit, të parashtruara nga Komisioneri Publik, duke perjashtuar hetimin e pensionit/detyrim ushqimor.

Seanca gjyqësore e radhës u caktua më datë,  31. 1. 2019.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF