12.4.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisioneri Publik, në prapësimet e tij për analizën financiare të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, u qëndroi shkaqeve të ankimimit, për të mos konsideruar si të ardhura të ligjshme, të ardhurat që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin D, pika 3 e aneksit të Kushtetutës dhe nenin 32, pikat 1 dhe 4 e ligjit nr. 84/2016.

Komisioneri Publik njoftoi trupën gjykuese dhe palët në proces se pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, më datë 11.4.2019 është rregjistruar një denoncim i ri, lidhur me subjektin e  rivlerësimit, që sipas Komisionerit Publik ndikon në analizën financiare.

Subjekti i rivlerësimit znj. Alma Brati gjatë parashtrimeve të saj në seancë gjyqësore, kundërshtoi analizën financiare të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duke e konsideruar atë të paligjshme dhe të pabazuar në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik. Ajo kërkoi të depozitojë prova të reja dhe ribërjen e analizës financiare.

Trupa gjykuese me vendim të ndërmjetëm lejoi marrjen e provave të propozuara nga subjekti i rivlerësimit dhe caktoi seancën gjyqësore të radhës, më datë 26.4.2019, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të japë shpjegime për denoncimet e reja të publikut, të mbërritura në Institucionin e Komisionerëve Publikë dhe në postën elektronike të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF