2.7.2019                                                                        

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues njoftoi se është rrëzuar kërkesa e subjektit të rivlerësimit për përjashtimin e relatores së çështjes dhe ftoi palët në proces për konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, vlerësoi se nga shqyrtimi gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, provohet se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme dhe deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë. Duke iu qëndruar kritereve të ankimit dhe fakteve të provuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Alma Brati.

Subjekti i rivlerësimit, përmes avokatit të saj, pretendoi se Kolegji i Posaçëm i Apelimit, gjatë gjykimit të çështjes, ka kryer shkelje procedurale dhe se analiza financiare, sipas tij, është kryer jashtë kufijve të ankimit.

Seanca për shpalljen e vendimit gjyqësor u caktua më datë 9.7.2019, ora 9.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF