11.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentjan Osmani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e çështjes, njohu trupin gjykues me shkaqet dhe çështjet konkrete të ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përfshirë rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Gjithashtu, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të marrë në konsideratë  një denoncim nga publiku, të përcjellë nga ONM-ja, ku ndër të tjera parashtrohen fakte dhe rrethana, të cilat, pas hetimit dhe vlerësimit nga Kolegji, mund të përbëjnë shkak ligjor për rivlerësimin edhe të të dyja kritereve të tjera, atë të figurës dhe aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit, përmes avokatit të tij, kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të administrojë aktet e parashtruara në seancë dhe, në bazë të tyre, të kryejë një analizë të plotë financiare. Ndërsa subjekti i rivlerësimit i cilësoi shpifje pretendimet e  ngritura në denoncimin nga publiku.

Pas parashtrimeve të palëve, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Trupi gjykues vendosi gjithashtu të kërkojë nga Prokuroria e Përgjithshme informacion lidhur me pozicionin procedural të subjektit të rivlerësimit në vendimmarrjet e çështjeve të pretenduara në denoncim, si dhe të dhëna nga sistemi TIMS.

Seanca gjyqësore e radhës u caktua më datë 15.7.2019, ora 13.30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF