15.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentjan Osmani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi analizën e provave, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, në seancën e datës 11.7.2019. Komisioneri Publik vlerësoi se aktet e administruara nuk mund të konsiderohen si dokumentacion justifikues ligjor për disa nga shkaqet e ankimit, përjashtuar njërin prej tyre, për të cilin Komisioneri Publik konstatoi se me provën e administruar justifikohet burimi i ligjshëm i dhurimit nga personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit.

Pas parashtrimeve të Komisionerit Publik, trupi gjykues, nëpërmjet relatores së çështjes, u vuri në dispozicion palëve në gjykim dokumentacionin e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të dhënat e siguruara nga sistemi TIMS, lidhur me pretendimet e ngritura në denoncimin nga publiku.

Komisioneri Publik, pasi u njoh me përmbajtjen e dokumentacionit, konstatoi se nuk qëndron asnjë nga rrethanat e pretenduara në denoncimin e publikut.

Subjekti i rivlerësimit iu qëndroi deklarimeve të seancës së datës 11.7.2019 dhe, përmes avokatit të tij, përsëriti kërkesën për kryerjen e një analize të plotë financiare.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor, duke njoftuar subjektin e rivlerësimit se, bazuar në të gjitha provat e administruara në Kolegj, do të kryejë analizën financiare, në funksion të zgjidhjes së çështjes.

Seanca për konkluzionet përfundimtare u caktua më datë 24.7.2019, ora 13.30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF