19.2.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, gjyqtare/Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Komisioneri Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që, në funksion të hetimit të plotë të kontrollit të pasurisë për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, të cilësojë si person tjetër të lidhur z. S.H dhe të hetohet në drejtim të burimit të ligjshëm të krijimit të pasurisë, apartament me sip.141,87 m2, në Tiranë.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrim të prapësimeve, kërkoi nga trupi gjykues mospranimin e ankimit, me pretendimet se nuk gjendet në kushtet e përcaktuara në nenin 3, pika 14, të ligjit nr. 84/2016.

Lidhur me kërkesën paraprake të Komisionerit Publik për vendimmarrje nga Kolegji për raportin juridik midis subjektit të rivlerësimit me familjarin e saj, trupi gjykues e çmoi të arsyeshme që të mos shprehej në këtë fazë gjykimi. Ndërsa në funksion të kërkesës së bërë nga Komisioneri Publik për kryerjen e analizës financiare për ligjshmërinë e burimit të pasurisë apartament banimi, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin, duke iu drejtuar për informacion shtesë dhe paraqitje aktesh mbi kontrata të lidhura dhe pagesa të kryera Ndërmarrjes së Ujësjellësit, OSHEE-së, shoqërive tregtare investitore, si dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë për veprime juridike të kryera.

Në pritje të kthimit të përgjigjeve të mësipërme, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për më datë 25.3.2020, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF