25.2.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në çelje të seancës gjyqësore, kryesuesi i trupit gjykues u kërkoi palëve pjesëmarrëse në gjykim të shpreheshin në rast se ishin njohur me përmbajtjen e shkresës së dërguar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), lidhur me hetimin e faktit të regjistrimit eventual të ndonjë kallëzimi ose procedimi penal në emër të subjektit të rivlerësimit nga kjo Prokurori ose ish-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Të dyja palët pjesëmarrëse në gjykim konfirmuan marrjen e këtij akti përcjellë nga trupi gjykues, ndërkohë Komisioneri Publik, për efekt të transparencës, nisur nga fakti që hetimi për këtë çështje u kërkua bazuar në një denoncim të ardhur nga publiku, kërkoi që, në referencë të përmbajtjes së nenit 287 të K. Pr. P., të njihej dhe me kërkesën e dërguar për marrjen e këtij informacioni.

Nga ana e tij, subjekti i rivlerësimit, pasi konfirmoi marrjen e aktit të dërguar nga SPAK, përmes përfaqësuesit ligjor, në përgjigje të detyrave të lëna nga trupi gjykues në seancën paraardhëse, kërkoi të administrohen disa akte: (a) fletë projektimi të (i) një kati të godinës, (ii) sistemit antizjarr, (iii) hidraulik; b) formular i lidhjes së objektit me infrastrukturën, si dhe c) faturë e pagesës pranë një banke të nivelit të dytë në qytetin e B. Currit, së taksës së ndikimit të ndërtimit në infrastrukturë.

Në vijim të gjykimit, pasi u njoh me kërkesën që i ishte drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Komisioneri Publik u shpreh se hetimi në lidhje me mungesën e kallëzimeve dhe procedimeve penale në emër të subjektit të rivlerësimit duhet të konsiderohej si i plotë.

Ndërkohë, në lidhje me aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, Komisioneri Publik nënvizoi se një pjesë e tyre ishin paraqitur më parë gjatë këtij gjykimi nga subjekti i rivlerësimit, bashkëlidhur prapësimeve mbi shkaqet e ankimit.

Duke iu referuar aktit bankar për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit, dhe legjislacionit përkatës, nëpërmjet gjykatës, Komisioneri Publik rikërkoi të paraqitej nga subjekti i rivlerësimit, akti përkatës që pasqyron vlerën e investimit, në momentin e kërkesës për t’u pajisur me leje zhvillimi, si një ndër shkaqet e ankimit.

Lidhur me këtë kërkesë, subjekti i rivlerësimit u shpreh se shumën e investimit e kishte deklaruar në deklaratën vjetore të pasurisë, të vitit 2013, dhe kontratën e investimit për pasurinë e tij në Valbonë nuk e dispononte në arkivin personal.

Edhe avokati i subjektit të rivlerësimit pretendoi se klienti i tij e ka dorëzuar kontratën që përmban vlerën e investimit në njësinë e qeverisjes vendore në momentin e aplikimit për lejen e ndërtimit dhe se, sipas tij, nuk ekzistonte asnjë bazë ligjore që e detyronte klientin e tij të arkivonte një kopje të dokumentacionit të dorëzuar për lejen e ndërtimit.

Pasi administroi informacionin e mbërritur nga SPAK dhe vendosi me shumicë votash të administrojë provat e reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët në parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare në seancën e radhës, që do të mbahet më datë 5.3.2020, ora 08:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF