3.3.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Adnand Kosova, magjistrat/prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Komisioneri Publik, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, i qëndroi kërkimit të ankimit, pasi sipas tij pretendimet dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e shkakut të ankimit. Në përfundim të parashtrimeve dhe në vlerësim të përmbajtjes së rekomandimit të ONM-së, Komisioneri Publik konstaton se për kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit rezulton me mungesë të burimeve financiare, nuk arrin të justifikojë burimin e ligjshëm të krijimit të saj dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Adnand Kosova.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, në parashtrimet përfundimtare, pretendoi për të kundërtën e ankimit dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rikonfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga palët në gjykim, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, që do të shpallet më datë 13.3.2020, ora 15:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF