2.7.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues, në çelje të seancës, njoftoi se Këshilli Bashkiak Fier nuk kishte kthyer përgjigje për dokumentacionin e kërkuar në funksion të hetimit gjyqësor.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën, duke ripërsëritur kërkesën drejtuar Këshillit Bashkiak Fier, për të vënë në dispozicion të gjykatës dokumentacionin e aplikimit të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit dhe dokumentet mbështetëse, që kanë shërbyer si bazë për vendimin nr. 46, datë 30.10.2012, të Këshillit Bashkiak Fier, për miratimin e listës emërore të familjeve të pastreha, pjesë e së cilës ishte edhe bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit.

Seanca e ardhshme do të zhvillohet më datë 7.7. 2020, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF