8.10.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 112, datë 4.3.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Dritan Peka, prokuror, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues, pas verifikimit të prezencës së palëve, ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Komisioneri Publik, krahas konkluzioneve përfundimtare, shprehu edhe qëndrimin lidhur me provat e reja, që subjekti i rivlerësimit depozitoi në funksion të analizës financiare. Referuar diferencës negative të saj, për periudhën e hetimit 2003 – 2016, të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri Publik konstatoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë. Komisioneri Publik, nga ana tjetër, i cilësoi bindëse shpjegimet e subjektit të rivlerësimit për të tria çështjet e ankimuara, lidhur me aftësitë profesionale. Komisioneri Publik, në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, i qëndroi kërkimit për ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 4.3.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Peka.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik për pamjaftueshmëri të të ardhurave në periudhën e hetuar 2003 – 2016 dhe sqaroi edhe njëherë pozicionin e tij për çështjet e referuara në ankim, lidhur me aftësitë profesionale.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit përfundimtar do të mbahet më datë 22.10.2020, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF