11.11.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elvin Gokaj, prokuror/në atë kohë Drejtues i Prokurorisë së Apelit, Shkodër.

Kryesuesja e trupit gjykues konfirmoi, në nisje të seancës, se janë njohur me analizën financiare të Komisionerit Publik, dërguar sipas kërkesave të përcaktuara në vendimin e ndërmjetëm të seancës paraardhëse dhe se, më pas, në të njëjtën datë, ia kanë bërë të njohur edhe subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit konfirmoi njohjen me analizën financiare të sipërcituar dhe prapësoi gjetjet e Komisionerit Publik në këtë analizë, duke këmbëngulur në pretendimin se bashkëshortja e tij kishte vetëm tagrin e përfaqësueses në llogaritë dyemërore dhe jo atë të bashkëpronësisë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi prapësimet e subjektit të rivlerësimit, u dakordësua me palët për mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në parashtrim të bisedimeve përfundimtare, deklaroi se u qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit, pasi subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e tyre. Në analizë të secilit prej shkaqeve të ankimit, referuar edhe provave të reja dhe parashtrimeve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë. Komisioneri Publik i qëndroi kërkimit të ankimit për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Elvin Gokaj.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësueses së tij ligjore, prapësoi të gjitha shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vendosë mospranimin e këtij ankimi dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pas dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 18.11.2020, ora 12:00, për shpalljen e vendimit përfundimtar.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF