19.4.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Anton Martini, prokuror i komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Kryesuesi i seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, në referencë të detyrave të lëna nga seanca e kaluar, i ftoi palët në parashtrimin e qëndrimeve lidhur me provueshmërinë e akteve të administruara dhe denoncimet e publikut.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, konstatoi se aktet e administruara nga trupi gjykues, në cilësinë e provës, nuk vërtetojnë rrethana të ndryshme nga sa është hetuar dhe dokumentuar nga ana e Komisionit, gjatë hetimit administrativ dhe sa është parashtruar nga Komisioneri Publik, në shkaqet e ankimit para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për kriterin rivlerësues të pasurisë, aftësive profesionale, si dhe vlerësimin tërësor të çështjes, referuar dispozitave ligjit nr. 84/2016.

Në lidhje me denoncimet e depozituara në Kolegj, Komisioneri Publik, duke konstatuar se ato përmbajnë elementet e parashikuara nga neni 53 i ligjit nr. 84/2016 dhe se administrimi i tyre është vendosur në kuadrin e çeljes së hetimit gjyqësor, mbi kërkesën e subjektit të rivlerësimit, e la në çmim të gjykatës vlerën provuese të tyre.

Në të tilla rrethana, Komisioneri Publik, duke i qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, kërkoi që ato të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Anton Martini, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

Subjekti i rivlerësimit, në qëndrimin mbi denoncimet e publikut, të depozituara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cilësoi të qëllimshme pretendimet e ngritura.

Trupi gjykues, bazuar në kërkesat e nenit 45 dhe nenit 53, paragrafi 3, i ligjit nr. 84/2016, vendosi të çelë hetimin gjyqësor edhe për dy denoncime dhe të kërkojë informacion dhe kopje të akteve procedurale në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër dhe Fier, lidhur me faktin nëse subjekti i rivlerësimit ka pasur ndonjë rol në çështjet penale, të referuara në denoncime.

Për të administruar aktet e mësipërme nga institucionet përkatëse, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 11.5.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF