10.5.2021

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Shkëlqim Miri, me funksion ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Komisioneri Publik konstaton se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), në vendimmarrjen e tij për raste të ngjashme, ka arsyetuar ndryshe në interpretim të së njëjtës bazë ligjore, duke argumentuar se, konkretisht, në vendimin nr. 316/2020, që është ankimuar në Kolegj, Komisioni ka vendosur përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar, pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti i rivlerësimit ka humbur statusin e magjistratit. Ndërsa në vendimin nr. 374, datë 23.4.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit, z. Shkëlqim Miri, Komisioni ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për shkak të humbjes së statusit të magjistratit, pasi subjekti i rivlerësimit është dënuar me vendim penal të formës së prerë.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në rrethanat kur ende nuk është shprehur mbi ankimin e tij, kundër vendimit nr. 316/2020, i cili eventualisht ndikon edhe në shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të KPK-së, për subjektin e rivlerësimit, z. Shkëlqim Miri, të vendosë në mënyrë alternative ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të vendimit ose lënien në fuqi të tij.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF