Në zbatim të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Vendimit të Kuvendit nr. 94/2017, “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionerëve Publikë”, të ndryshuar me vendimin nr. 102, datë 4.10.2018, dhe vendimin nr. 37, datë 12.5.2022, Institucioni i Komisionerëve Publikë shpall vendin vakant për pozicionin e mëposhtëm:
- Shpall 1 (një) vend vakant për pozicionin “Sekretar, pranë Komisionerit Publik”, me kontratë të përkohshme pune, për një periudhë 1-vjeçare (zëvendësues për kryerjen e lejes së lindjes).
(Kategoria e pagës për pozicionin e Sekretarit është sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave nr. 187/2017, për pagat e nëpunësve civilë në administratën shtetërore dhe institucione të tjera të pavarura.)
DETYRAT KRYESORE:
- Ofron mbështetje administrative dhe teknike, përfshirë postën zyrtare, telefonatat, skanimin, faksimin dhe kopjimin e dokumenteve për Komisionerin Publik.
- Përgatit dhe modifikon dokumentet, duke përfshirë korrespondencën, raportet, memorandumet dhe email-et, sipas kërkesës dhe rekomandimeve të Komisionerit Publik.
- Merr dhe shpërndan korrespondencën, e cila i drejtohet Komisionerit Publik, si dhe kujdeset për mirëmbajtjen e saj.
- Ruan dhe mirëmban dokumente të ndryshme, dosje dhe të dhëna tjera, me qëllim dokumentimin e aktiviteteve të Komisionerit Publik.
- Mban kontakte, me autorizim të Komisionerit Publik, me punonjësit e institucionit, zyrtarët e lartë dhe publikun, përfshirë ofrimin e ndihmës dhe udhëzimeve për çështje të caktuara.
- Asiston Komisionerin Publik në agjendën e takimeve.
- Kryen edhe detyra tjetër në përputhje me ligjet dhe rregulloret, të cilat mund të kërkohen në mënyrë të arsyeshme, kohë pas kohe, nga Komisioneri Publik.
- Çdo detyrë tjetër e ngarkuar nga Komisioneri.
KUSHTE TË PËRGJITHSHME:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të mos jetë i/e dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Ndaj tij/saj të mos ketë asnjë masë disiplinore në fuqi;
e) Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat e tjera të posaçme për kategorinë, klasën, grupin dhe pozicionin përkatës;
ë) Kandidatët duhet të sigurohen se plotësojnë kriteret për t’u pajisur me Certifikatë Sigurie, sipas Vendimit të Këshillit Ministrave nr. 188, datë 4.3.2015.
KUSHTET E POSAÇME:
Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:
- Të zotërojë diplomë të nivelit “Bachelor”;
- Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;
- Të ketë njohuri shumë të mira të programeve kompjuterike të paketës Microsoft Office;
- Eksperienca në punë përbën avantazh.
Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen deri më datë 30 janar 2023, në një nga format e përcaktuara më poshtë:
- Paraqitja e kërkesës dorazi nga aplikanti, deri në datën 30 janar 2023, së bashku me dokumentet përkatëse, pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr. 8, Tiranë, nga e hëna në të enjte, ora: 09:00-16:00, dhe të premten, ora 09:00-14:00.
- Dërgimi i kërkesës së bashku me dokumentet përkatëse, me anë të postës, pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 8, Tiranë. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda datës 30 janar 2023 dhe të vërtetohet me fletëmandatin e lëshuar nga zyra postare.
Në kërkesën që paraqet kandidati, përcakton vendin vakant për të cilin është i interesuar. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon, të mbyllura në zarf, 1 (një) kopje të dokumenteve të mëposhtme:
- Jetëshkrim profesional në gjuhën shqipe, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare.
- Fotokopje të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë, kartë identiteti).
- Dokumentet (diplomë, librezë pune, dëshmi, vetëdeklarim, certifikata, trajnime etj.), fotokopje ose të noterizuara. Diplomat që janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
- Dokument që vërteton se në ngarkim të tij/saj nuk është regjistruar një procedim penal (vërtetim nga Gjykata, vërtetim nga Prokuroria, dëshmi e gjendjes gjyqësore).
- Vërtetim nga institucioni ku punon/ose punëdhënësi i fundit që nuk ka masë disiplinore në fuqi.
- Raport mjeko-ligjor, që vërteton se është në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton plotësimin e kushteve të mësipërme, si dhe trajnime, kualifikime, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera, të përmendura në jetëshkrim, rekomandime, referenca etj.
VLERËSIMI I KANDIDATURAVE DO TË ZHVILLOHET NË DY FAZA:
- Verifikimi paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të posaçme, sipas shpalljes së konkurrimit. Kandidatët e kualifikuar, pas shqyrtimit të dokumentacionit, do të njoftohen në rrugë elektronike nga Burimet Njerëzore të institucionit mbi vendin, datën dhe orën e zhvillimit të intervistave.
- Vlerësimi i kandidatëve nëpërmjet intervistës së strukturuar nga Komiteti Ad-hoc.
MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE:
A. Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar, përvojën, vlerësimet e rezultateve individuale në punë, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën për të cilën aplikohet.
B. Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
– Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
– Eksperiencën e tyre të mëparshme;
– Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Kandidatët që plotësojnë kriteret formale dhe kanë depozituar dokumente të fotokopjuara, përpara intervistës, i paraqesin Komitetit Ad-hoc dokumentet e njësuara ose ato origjinale.