7.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ramiz Lala, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik, në bisedimet përfundimtare, duke analizuar përmbajtjen e akteve të administruara dhe nivelin e provueshmërisë së tyre në lidhje me shkaqet e ankimit, parashtroi kërkesën për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Ramiz Lala, dhe transferimin për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të çështjes administrative nr. 254, datë 14.5.2019, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Subjekti i rivlerësimit, në bisedimet përfundimtare, u qëndroi pretendimeve lidhur me shkaqet e ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit përfundimtar, më datë 12.7.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF