8.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin e tij lidhur me provueshmërinë e akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, gjatë seancës së mëparshme.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, vlerësoi se aktet e reja nuk provonin të kundërtën e gjetjeve në ankimin e ushtruar, në konsideratë edhe të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Komisioneri Publik, në përmbyllje të qëndrimit të tij, parashtroi se Kolegji ka krijuar tashmë një jurisprudencë të konsoliduar, për sa u përket pretendimeve të subjektit të rivlerësimit lidhur me kërkimin përfundimtar të ankimit, për vendosjen e masës së shkarkimit nga detyra.

Në vijim, vëzhguesi i ONM-së i adresoi një seri pyetjesh subjektit të rivlerësimit, në lidhje me pasurinë dhe aftësitë profesionale.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, paraqiti kërkesë për t’i vënë në dispozicion një kopje të regjistrimit audioviziv të seancës së sotme, duke kërkuar edhe kohë për përgatitjen e qëndrimit të tij në lidhje me pyetjet dhe komentet, që iu adresuan nga vëzhguesi i ONM-së.

Në këto rrethana, për t’i dhënë kohën e mjaftueshme subjektit të rivlerësimit për të përgatitur qëndrimin e tij, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 13.7.2021, ora 8:30, duke i ftuar palët në proces të përgatiten edhe për konkluzionet përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF