13.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës referoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për t’i dhënë më shumë kohë në përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, si dhe informoi se Komisioneri Publik kishte përcjellë në Kolegj një denoncim të mbërritur dje, në postën elektronike të Institucionit të Komisionerëve Publikë (IKP).

Në vijim, me kërkesë të kryesueses së seancës, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin e tij mbi denoncimin, duke shpjeguar se të dhënat e referuara dhe fotografia bashkëlidhur tij nuk mundësonin një konstatim të qartë të pretendimeve të ngritura rreth kriterit të kontrollit të figurës dhe, për këtë arsye, kërkoi që ky denoncim të trajtohej referuar nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016.

Subjekti i rivlerësimit prapësoi pretendimet e ngritura në denoncimin e referuar në seancë, duke deklaruar se fotografia e bashkëlidhur nuk e identifikonte atë dhe se ai nuk kishte qenë kurrë në ambientet e pretenduara në denoncim.

Seanca vijoi me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi pyetjet dhe konstatimet e adresuara nga vëzhguesi i ONM-së, në seancën paraardhëse, të cilat ai i cilësoi të pafaktuara dhe në shkelje të etikës.

Trupi gjykues, pasi u tërhoq për konsultim, kërkoi korrespondencën elektronike, përmes së cilës ishte depozituar denoncimi në IKP dhe, pasi u njoh me përmbajtjen e tij, vendosi të mos e administrojë, për shkak se nuk përmbante fakte dhe rrethana, në kuptim të nenit 53 të ligjit nr. 84/2016, duke vendosur njëkohësisht të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të ftojë palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare më datë 16.7.2021, ora 10:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF