30.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.

Në fillim të seancës, kryesuesja e trupit gjykues njoftoi se, nëpërmjet Vëzhguesit Ndërkombëtar në Kolegj, ishte depozituar një denoncim për subjektin e rivlerësimit, nga shtetasi z. N. Ll., denoncim që u ishte përcjellë palëve pjesëmarrëse në gjykim. Po ashtu, në vijim, kryesuesja e trupit gjykues kërkoi nga ana e Komisionerit Publik informacion në lidhje me zbatimin e detyrës së lënë në përfundim të seancës paraardhëse, për njohjen me informacionin pranë autoritetit përkatës informues, si dhe qëndrimin mbi këtë denoncim të depozituar rishtazi.

Komisioneri Publik informoi se, nëpërmjet Vëzhguesit Ndërkombëtar, trupi gjykues ishte vënë në dijeni ndërkohë, lidhur me pamundësinë e njohjes me të dhënat e autoritetit informues, çka u konfirmua në seancë edhe nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Komisioneri Publik, në këto kushte, parashtroi se mbetet në çmimin e trupit gjykues nevoja eventuale për hetim të mëtejshëm, bazuar në të dhënat e autoritetit informues, të dhëna të konsultuara nga ana e këtij trupi gjykues. Në lidhje me denoncimin e depozituar rishtazi, Komisioneri Publik nënvizoi se shtetasi z. N. Ll. i është drejtuar përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të kërkuar hetime të mëtejshme, rreth fakteve që rezultonin të ishin pjesë e një denoncimi të mëparshëm, për të cilin trupi gjykues, më herët gjatë këtij gjykimi, kishte vendosur se nuk përmbante elementet e parashikuara nga neni 53 i ligjit nr. 84/2016.

Mbi të njëjtat pyetje të trupit gjykues, subjekti i rivlerësimit pretendoi se është në pamundësi për të mbajtur qëndrim për shkaqet e raportit të organit përgjegjës, që ka ndryshuar konstatimin në papërshtatshmëri për vijimin e detyrës, sa kohë nuk është njohur me përmbajtjen e këtyre të dhënave. Përkundër këtij raporti, subjekti i rivlerësimit parashtroi faktin se, prej vitit të kaluar, nga i njëjti institucion, ai ishte pajisur me certifikatë sigurie të nivelit më të lartë, e cila duhet të konsiderohet si provë në rivlerësimin e kriterit të figurës. Në lidhje me denoncimin, subjekti i rivlerësimit pretendoi se denoncuesi përsërit të njëjtat fakte të pretenduara më parë, në kushtet kur ndaj këtij shtetasi zyra e Prokurorisë, e drejtuar nga subjekti i rivlerësimit, është duke kryer verifikime bazuar në kallëzime penale të depozituara nga qytetarë të qytetit të Krujës.

Në vijim të seancës gjyqësore, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i drejtoi subjektit të rivlerësimit disa pyetje në lidhje me përmbajtjen e denoncimit të shtetasit z. N. Ll.

Në vijim, trupi gjykues u tërhoq për vendimmarrje lidhur me ecurinë e mëtejshme të gjykimit të çështjes. Pas rikthimit në sallë, trupi gjykues njohu palët me vendimin për mosadministrimin e denoncimit të depozituar nëpërmjet përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, bazuar në të njëjtat shkaqe ligjore për të cilat ishte disponuar në mënyrë të njëjtë, edhe më parë në këtë gjykim.

Kryesuesja e trupit gjykues njoftoi, po ashtu, palët pjesëmarrëse në gjykim, se ishte vendosur që Komisionerit Publik t’i jepet mundësia e njohjes institucionalisht me të dhënat e autoritetit informues dhe, për këtë qëllim, seanca e radhës u caktua të zhvillohet në datën 8.9.2021, ora 12.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF