9.9.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Sokol Ngresi, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues komunikoi depozitimin në Kolegj të përgjigjes së mbërritur nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, si dhe të një denoncimi në adresë të subjektit të rivlerësimit, të përcjellë nga Institucioni i Komisionerëve Publikë.

Pasi palët konfirmuan njohjen me aktet e sipërcituara, subjekti i rivlerësimit i referoi trupit gjykues akte shtesë, të siguruara me kërkesë të tij nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve Vlorë, të cilat kërkoi të administrohen në funksion të hetimit gjyqësor.

Në vijim, referuar vendimit të ndërmjetëm të seancës së datës 26.7.2021, në funksion të hetimit mbi denoncimet ku pretendohet për një pasuri të padeklaruar nga ana e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues thirri, në cilësinë e dëshmitarit, administratorin e shoqërisë së ndërtimit, shtetasin *** ***, i cili, krahas dëshmisë së tij, paraqiti edhe aktet origjinale të kontratave të kërkuara nga Kolegji, si dhe iu përgjigj pyetjeve të adresuara nga anëtarët e trupit gjykues, vëzhguesi ndërkombëtar dhe subjekti i rivlerësimit.

Pas administrimit të përgjigjeve, trupi gjykues vendosi të lejojë administrimin e akteve të paraqitura gjatë seancës nga dëshmitari dhe subjekti i rivlerësimit.

Për aktet e administruara si provë nga trupi gjykues, Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehet së bashku me konkluzionet përfundimtare.

Bazuar në nenin 49, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, si dhe në nenin 224/a të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi që aktet origjinale të depozituara nga dëshmitari t’i nënshtrohen ekspertimit, për të provuar nëse ka apo jo elemente falsiteti. Gjithashtu, trupi gjykues vendosi të thërrasë, në cilësinë e ekspertit kriminalist, ekspert nga Instituti i Policisë Shkencore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 21.9.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF