1.11.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 273, datë 10.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja, me detyrë gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Kryesuesja e seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, iu drejtua Komisionerit Publik për të parashtruar qëndrimin e tij lidhur me dy vendimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), për fillimin dhe pezullimin e hetimit disiplinor me iniciativë ndaj magjistrates Alkelina Gazidedja, me detyrë gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, referuar vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioneri Publik parashtroi se aktet e sipërcituara nuk ndikojnë në shkaqet e ankimit, që lidhen me vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, kërkoi nga trupi gjykues depozitimin e dy vendimeve të ILD-së dhe, në vijim, parashtroi kundërshtimet e saj për pretendimet e ngritura në një denoncim të depozituar rishtazi pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë. Në funksion të këtij denoncimi, ajo depozitoi edhe dy akte gjyqësore.

Trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe, pasi palët konfirmuan se nuk kishin kërkesa paraprake lidhur me procesin, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor, duke njoftuar shtyrjen e seancës më datë 9.11.2021, ora 10.00, për t’iu dhënë kohë palëve në përgatitjen e bisedimeve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF