8.11.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Sokol Ngresi, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Në vijim të seancës së mëparshme, në lidhje me ekzaminimin grafik të dokumenteve objekt ekspertimi, kryesuesja e seancës bëri të ditur se akti i ekspertimit të Institutit të Drejtorisë së Policisë Shkencore ishte depozituar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më datë 4.11.2021 dhe ai u ishte dërguar për njohje ONM-së, Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit.

Ekspertët grafikë të Institutit të Drejtorisë së Policisë Shkencore u shprehën në seancë mbi aktin e ekspertimit, duke parashtruar konkluzionet mbi falsifikimin e nënshkrimeve.

Në mungesë të pyetjeve nga Komisioneri Publik, subjekti i rivlerësimit u drejtoi disa pyetjeve ekspertëve, lidhur me përmbajtjen e aktit. Pas përgjigjeve të marra nga ekspertët, trupi gjykues vendosi administrimin e aktit të ekspertimit, datë 4.11.2021.

Në vijim, kryesuesja e seancës bëri të ditur se pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë paraqitur tri denoncime, duke i ftuar palët në qëndrimet e tyre.

Komisioneri Publik, duke e lënë në çmim të gjykatës vendimmarrjen në lidhje me denoncimet, u shpreh se kërkimi i ankimit mbështetet në shkaqet, të cilat ai përmban dhe se, në dukje, denoncimet nuk përmbajnë elementet e kërkuara, të tilla që ndikojnë në rivlerësimin e subjektit  për t’u verifikuar më tej. Subjekti i rivlerësimit pretendoi se njëri nga denoncimet lidhet me një çështje gjyqësore në gjykim e sipër nga një gjykatë më e lartë, ndërkohë që dy denoncimet e tjera i konsideroi si anonime dhe në vijim të paraqitjes së fakteve të rreme kundrejt konfirmimit të tij në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi: 1. T’i deklarojë të falsifikuara aktet, që iu nënshtruan ekspertizës dhe, në zbatim të nenit 280/1 të Kodit të Procedurës Civile, t’i përjashtojë ato nga konsiderimi me cilësinë e provës në këtë proces. 2. Në zbatim të nenit 275/2, të Kodit të Procedurës Civile, këto akte të shënjohen të falsifikuara dhe të ruhen në arkivin e gjykatës bashkë me këtë vendim.

3. Në zbatim të neneve 281/3 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 245 e 271 të Kodit Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, për shtetasin F.K, për kryerjen e veprës penale të dëshmisë së rreme, parashikuar nga neni 306 i Kodit Penal, dhe falsifikimit të dokumenteve me anë të përdorimit të tij, i parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. 4. Të mos hetojë më tej lidhur me tri denoncimet e depozituara rishtazi në Kolegj.

Trupi gjykues, pas konfirmimit nga palët, se nuk kishin prova dhe kërkesa të tjera, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, duke i ftuar palët të paraqesin bisedimet përfundimtare në seancën e radhës, që do të mbahet më datë 16.11.2021, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF