15.12.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Anita Jella, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit dhe Komisioneri Publik kishin depozituar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit parashtrimet e tyre, si dhe informoi se palët në proces ishin njohur edhe me denoncimet e depozituara rishtazi në Kolegj.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi për shqyrtim para trupit gjykues, çështje që lidhen me: deklarimin e pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kontrollin e kriterit të pasurisë dhe vlerësimin e fakteve dhe rrethanave, që përmbajnë praktikat e transferuara pranë organit kompetent për inspektimin e shkeljeve disiplinore, për të cilat Komisioneri Publik  vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk kishte provuar të kundërtën e barrës së provës. Komisioneri Publik çmoi se juridiksioni kontrollues dhe rivlerësues i Kolegjit do të duhet të ushtrohet për të tria kriteret e rivlerësimit dhe, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të vendoset për ndryshimin e vendimit të KPK-së, nr. 221, datë 10.12.2019 dhe për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrim të prapësimeve të saj, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke kërkuar nga trupi gjykues riçelje të hetimit gjyqësor, administrimin e provave të reja, mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin e saj në detyrë.

Lidhur me qëndrimin mbi denoncimet e depozituara rishtazi në Kolegj, subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për përgatitjen me shkrim, ndërsa Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehej pasi të njihej me pretendimet e saj.

Trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe, pasi relatorja e çështjes i drejtoi disa pyetje subjektit të rivlerësimit, që lidheshin me kriterin e pasurisë, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 20.12.2021, ora 10:00, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit për të përgatitur qëndrimin e saj mbi denoncimet e depozituara në Kolegj, si dhe mbi pyetjet që iu adresuan në seancë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF