27.1.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Anita Jella, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se, në vijim të seancave të mëparshme, trupi gjykues, pasi kishte shqyrtuar përmbajtjen e denoncimit të depozituar një muaj më parë në Kolegj, kishte vendosur të hetojë rreth tij dhe, për këtë qëllim, t’i kërkojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës të dhëna për numrin e çështjeve, të hetuara nga subjekti i rivlerësimit.

Në vijim, kryesuesja e seancës informoi se në Kolegj kishte mbërritur edhe një denoncim tjetër nga publiku, i administruar më datë 12.1.2022, dhe kërkoi qëndrimin e palëve në proces, pasi ato konfirmuan se ishin njohur me përmbajtjen e tij.

Komisioneri Publik u shpreh se nga përmbajtja e ankesës nuk rezultojnë rrethana të tilla për t’iu nënshtruar hetimit.

Ndërsa subjekti i rivlerësimit iu qëndroi parashtrimeve të depozituara më parë në Kolegj kundër pretendimeve të ngritura në denoncim dhe, në funksion të tyre, paraqiti prova të reja. Ajo iu përgjigj edhe disa pyetjeve të drejtuara nga relatorja e çështjes.

Trupi gjykues, i këshilluar në vend, vendosi të administrojë aktet e reja të depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe, në pritje të përgjigjes nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës, vendosi të shtyjë seancën më datë 7.2.2022, ora 11:00, dhe ftoi palët të përgatiten edhe për konkluzionet përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF