20.4.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës i ftoi ato në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtrimeve dhe qëndrimeve të mbajtura në seancat gjyqësore të zhvilluara në Kolegj, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i saj ligjor, në prapësim të konkluzioneve dhe kërkimit përfundimtar të Komisionerit Publik, kërkuan nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit përfundimtar më datë  27.4.2022, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF