5.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 241, datë 26.2.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Irena Gjoka, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, sot Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, i kërkoi trupit gjykues shtyrjen e seancës për t’i dhënë kohë të njihet me çështjen, duke njoftuar se Komisioneri Publik që kishte ushtruar ankimin, z. Darjel Sina, nga dita e djeshme ushtronte detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, parashtroi një rrethanë, e cila sipas saj, në dukje, mund të përbënte konflikt interesi me Komisionerin Publik, për të cilën ky i fundit deklaroi se nuk kishte dijeni.

Trupi gjykues, pasi shqyrtoi kërkesën e Komisionerit Publik për të shtyrë seancën gjyqësore, vendosi ta pranojë atë dhe njoftoi se seanca e ardhshme do të zhvillohet më datë 26.5.2022, ora 10:00, duke i kërkuar njëkohësisht edhe subjektit të rivlerësimit, që nëse dispononte fakte për konflikt interesi me palët në proces t’i depozitonte në Kolegj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF