31.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 241, datë 26.2.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Gjoka, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, sot Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik parashtroi fillimisht konstatimet lidhur me provat dhe prapësimet e administruara në Kolegj gjatë hetimit gjyqësor dhe, në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, vlerësoi se, në kushtet kur hetimi ishte shterues dhe i gjithanshëm, bazuar edhe në provat e reja të administruara gjatë shqyrtimit të çështjes, subjekti i rivlerësimit arrin në nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë dhe, bazuar në nenin F, pika 7 e aneksit të Kushtetutës, dhe nenin 59, pika 1 e ligjit nr. 84/2016, i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 241/2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Gjoka.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësueses ligjore, parashtroi bisedimet përfundimtare dhe, në përmbyllje të tyre, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e saj në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 14.6.2022, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF