19.12.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare.

Duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve, Komisioneri Publik, në vlerësim edhe të provave të administruara në funksion të hetimit të çështjes, vërejti se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se nuk arrin të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit edhe për kriterin e aftësive profesionale. Në përmbyllje të konkluzioneve, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Miranda Andoni.

Në vijim, Komisioneri Publik iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga relatori i çështjes mbi disa gjetje në ankim për kriterin e pasurisë.

Subjekti i rivlerësimit, edhe gjatë parashtrimeve të konkluzioneve përfundimtare, kundërshtoi pretendimet e Komisionerit Publik, duke i kërkuar trupit gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet e palëve, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 20.12.2022, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF