21.2.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arbër Çela, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër.

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese e ligjore, çmon se, nga  shqyrtimi i vendimit nr. 595/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe në konsideratë të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, paraqiten rrethana dhe fakte ligjore, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arbër Çela.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF