11.4.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 629, datë 3.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cengu, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 629/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, vlerëson se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për deklarimin të përfunduar të procesit të rivlerësimit, për prokurorin Besnik Cengu, pa një vendim përfundimtar të çështjes, është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore në fuqi dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’ia paraqitur për shqyrtim juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik, përmes këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të ndryshojë vendimin nr. 629/2023, të KPK-së, dhe të vendosë ndërprerjen e procesit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, dhe në zbatim të nenit G, pika 2 e aneksit të Kushtetutës, të vendosë ndalimin e emërimit të tij gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i KLGJ-së, KLP-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF