Tiranë, më 4.12.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 4.12.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.735, datë 31.1.2024 , të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Dritan Nushi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, referuar procedimeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, deklaroi se vërehen mangësi në vlerësimit të provave, arsyetimin ligjor, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve të duhura hetimore.
Sipas z. Braho, qasja e treguar nga subjekti i rivlerësimit për moszbatimin e legjislacionit në fuqi lidhur me një ndërtim të paligjshëm mbi një pasuri në përdorim të tij është mosveprim që bie ndesh me etikën e prokurorit. Deklarimet kontradiktore të subjektit sa i përket një pasurie të blerë, e regjistruar nga prindërit e tij, të cilat kanë çuar në pamundësi objektive për të kontrolluar burimet e krijimit të saj, duhen marrë në konsideratë nga Kolegji në një vlerësim të përgjithshëm të të tria kritereve të rivlerësimit dhe duke iu referuar nenit 61, pika 5 të ligjit 84/2016, cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të shkaqeve të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 735, datë 31.01.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Dritan Nushi.
Subjekti i rivlerësimit, kundërshtoi ankimin si të pambështetur në prova dhe nëligj, por në interpretime të njëanshme dhe të fragmentarizuara, si dhe në mungesë të argumenteve ligjore për të përmbysur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e ka konfirmuar atë në detyrë. Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore, dhanë shpjegime të detajuara në prapësim të shkaqeve të ankimit dhe në mbështetje të pretendimeve të tyre depozituan disa akte, të cilat kërkuan të pranohen në cilësinë e provës. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit rrëzimin e ankimit, çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes me qëllim marrjen e provave të reja dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 735, datë 31.01.2024.
Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ato nuk përmbajnë shkaqe për hetime të mëtejshme, qëndrim të cilin e ndau edhe subjekti i rivlerësimit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, përveç atyre të identifikuara si pjesë e fashikullit të dosjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Lidhur me denoncimet, pasi dëgjoi qëndrimet e palëve dhe u njoh me aktet bashkëlidhur tyre, trupi gjykues vendosi të mos ndërmarrë hetime të mëtejshme, pasi nuk përmbushen rrethanat e nenit 53 të ligjit 84/2016, ndërkohë që për një prej tyre u vlerësua se hetimi i mëtejshëm i tij binte ndesh me përcaktimet e nenit E, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor, duke ftuar palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 16.12.2025, ora 9:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, prej datës 1.1.2025.