Tiranë, më 4.12.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 4.12.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 682, datë 10.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Enklid Gjini, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, deklaroi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, duke sjellë në vëmendje kontradiktat e deklarimeve dhe aspekte të fiktivitetit, gjë që do ta vendoste subjektin e rivlerësimit në kushtet e parashikuara në nenin 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016. Lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë në kuadër të vlerësimit të përgjithshëm për të tria kriteret, gjetjet në ankim lidhur me ndërmarrjen e veprimeve hetimore nga ana e subjektit gjate ushtrimit të funksionit. Lidhur me kriterin e figurës, z. Braho deklaroi se nisur nga referimi i agjencive ligjzbatuese, nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk janë hetuar plotësisht dhe në mënyrë shteruese dy procedime penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit, për të përjashtuar eventualitetin e gjendjes së subjektit të rivlerësimit në kushtet e zbatimit të nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Enklid Gjini.
Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime të detajuara lidhur me shkaqet e ankimit, duke e kundërshtuar si të pabazuar në ligj dhe në prova. Subjekti i rivlerësimit kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, duke i kërkuar Kolegjit të administrojë në cilësinë e provës akte të reja në mbështetje të pretendimeve të tij.
Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe subjekti i rivlerësimit ndanë të njëjtin qëndrim, se ato nuk përmbajnë rrethana për hetime të mëtejshme.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor, duke marrë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit bashkëlidhur parashtrimeve dhe aktet e sjella në seancën e datës 4.12.2025, përvec akteve të cilat janë evidentuar se janë pjesë e fashikullit të dosjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Lidhur me denoncimet, trupi gjykues vendosi të mos hetohet më tej, pasi vlerësoi se nuk ka rrethana që plotësojnë kërkesat e nenit 53, ligjit 84/2026.
Lidhur me kontrollin e kriterit të figurës, trupi gjykues vendosi të njihet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të cështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit të huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor. Në funksion të vendimit të ndërmjetëm, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 15.12.2025, ora 9:00, duke i ftuar palët të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare. Në kuadër të qartësisë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues ftoi Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, apo përfaqësuesin e autorizuar prej tij, nëse e vlerësojnë të nevojshme, të kenë mundësi të aksesojnë për konsultim në ambientet e Kolegjit, dosjen e klasifikuar në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, e cila është e administruar në fashikullin e Komisionit si pjesë përbërëse e tij, apo të kryejnë çdo veprim tjetër që do ta konsiderojnë të nevojshëm në funksion të qartësimit të kërkimit përfundimtar.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, prej datës 1.1.2025.