Tiranë, më 5.11.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 5.11.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.738, datë 22.2.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Gëzim Çopa.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Adnan Xholi, deklaroi se lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar krijimin e pasurive të tij të luajtshme dhe të paluajtshme. Disa gjetje të evidentuara lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi që që bashkë me me problematikat në kriterin e vlerësimit të pasurisë, të vlerësohet nga Kolegji edhe kriteri i vlerësimit të figurës, sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016, në kuadër të nenit 61, pika 5 të po këtij ligji. Në përfundim, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtuan shkaqet e ankimit dhe dhanë shpjegime të detajuara për secilin prej tyre, duke deklaruar se përmes provave në dosje vërtetohet burimi i ligjshëm i krijimit të pasurisë të subjektit të rivlerësimit dhe ndërmarrja e veprimeve të duhura hetimore prej tij gjatë ushtrimit të detyrës. Subjekti i rivlerësimit kërkoi të pranohen në cilësinë e provës disa akte bashkëlidhur parashtrimeve të tij.
Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të mos pranojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, me arsyetimin se ato janë pjesë e fashikullit të dosjes së sjellë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Kryesuesja e seancës bëri me dije se këto akte do të mbahen në konsideratë nga Kolegji gjatë vlerësimit të çështjes.
Pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u dhënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e tyre, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 26.11.2025, ora 10:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, prej datës 1.1.2025.