Tiranë, më 15.12.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 15.12.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 682, datë 10.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Enklid Gjini, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, kryesuesja e seancës bëri me dije se trupi gjykues është njohur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të cështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë.
Po në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se, në funksion të përgatitjes së një kërkimi përfundimtar të qartë dhe objektiv, i është drejtuar zyrtarisht organit ligjzbatues për t’u njohur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, gjë që nuk është mundësuar ende për shkaqe që nuk vareshin prej tij. Për këtë arsye z. Klodjan Braho kërkoi shtyrje të seancës gjyqësore në një datë të arsyeshme, kërkesë e cila u pranua nga trupi gjykues.
Seanca publike e radhës do të zhvillohet në datën 12.01.2025, ora 10:00, në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.