Tiranë, më 16.12.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 16.12.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.735, datë 31.1.2024 , të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Dritan Nushi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se bazuar në shqyrtimin e akteve në dosje rezulton që mangësitë e vërejtura në kriterin e aftësive profesionale nuk janë në atë masë për t’u konsideruar serioze apo për të aplikuar masën e shkarkimit nga detyra. Z. Klodjan Braho çmoi se problematikat lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk kanë peshë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe se subjekti i rivlerësimit dha shpjegime bindëse, sa i përket padijenisë së tij për ndërtimin e paligjshëm mbi një pasuri në përdorim të tij, si dhe mbi pasurinë në pronësi të prindërve të tij. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.735, datë 31.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Nushi.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin kërkim përfundimtar me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Pasi trupi gjykues dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 17.12.2025, ora 14:30.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, prej datës 1.1.2025.

PDF