Tiranë, më 12.1.2026

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,z. Klodjan Braho, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, mori pjesë seancën gjyqësore publike të datës 12.01.2026, që i përket çështjes (JR) 45/2023, datë 12.10.2023 pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Enklid Gjini.

Në vijim të seancës së mëparshme, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se është njohur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar pranë organit ligjzbatues, në funksion të përgatitjes së një kërkimi përfundimtar të qartë e objektiv për çështjen nën shqyrtim.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, deklaroi se pas njohjes me informacionin e klasifikuar pranë organit ligjzbatues, vlerëson se, me shpjegimet shtesë bindëse e të pranueshme në parashtrime si dhe pas vlerësimit të provave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit arriti të shërojë shkaqet e ankimit. Përfundimisht, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho Kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit z.Enklid Gjini.

Subjekti i rivlerësmit ndau të njëjtin qëndrim përfundimtar me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.

Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.01.2026, ora 15:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/.

 

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF